Programet

  1. Programi i Përkujdesjes Shtëpiake

Përmes implementimit të programit “Përkujdesi Shtëpiak” (Home Care) që nga viti 2009 kemi mbështet personat e moshuar në nevojë e të vetmuar, të sëmurët kronikë dhe personat me nevoja të veçanta.  Po ashtu personat me sëmundje me regjim shtrati (të pa lëvizshëm) dhe personat me sëmundje të ndryshme psikike përfitojnë nga shërbimet tona shëndetësore dhe sociale. Përveç ofrimit të këtyre shërbimeve profesionale, ne shpërndajmë pajisje të ndryshme shëndetësore për t’ju krijuar kushte më te mira përfituesve tanë.

 

  1. Programi kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore është një nder prioritet kryesore të veprimtarisë tonë. Me anë të këtij programi parandalojmë  trafikimin e qenieve njerëzore përmes fushatave ndërgjegjësuese. Ne po ashtu fuqizojmë direkt viktimat (potenciale) përmes riintegrimit socio-ekonomik të tyre në shoqëri, si dhe kemi ndikuar në avancimin dhe rritjen e kapacitetet e strehimoreve. Përveç kësaj, ne kemi rritur angazhimin tonë për mbrojtjen e fëmijëve të rrezikuar nga trafikimi, ku benë pjese  puna e detyruar, lypsaria dhe abuzimi.

 

  1. Programi Nacional mbi Paqe dhe Pajtim

Me fokus të veçantë tek qyteti i ndarë i Mitrovicës, që nga viti 1999 jemi duke implementuar “Programin Nacional  mbi Paqen dhe Pajtimin” me qëllim të promovimit të vlerave të paqes dhe pajtimit në mënyrë që të forcohet multi-kulturaliteti i shoqërisë kosovare. Po ashtu përmes komponentës nacionale të animacioneve, kemi të angazhuar qindra vullnetarë pa dallim feje, përkatësie etnike, gjinie dhe moshe të cilët kontribuojnë në veprimtarinë tone. Angazhimi ynë për paqe dhe pajtim ka dimension transnacional ku kemi bashkëpunim edhe me Caritas Serbinë për nxitjen e dialogut ndëretnik dhe fetar.

 

  1. Programi për personat me nevoja të veçanta

Me qëllim të fuqizimit të promovimit të drejtave të njeriut, gjithëpërfshirjes sociale dhe përfaqësimit, Caritas Kosova mbetet e angazhuar në avancimin e pozitës së personave me nevoja të veçanta duke zbatuar programe të ndryshme nacionale dhe aktivitete lokale në komunat e Gjilanit, Prishtinës, Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit. Përmes trajnimeve të ndryshme mbi metodologjinë e vetë-përkrahjes, mbështetjes së mikro-projekteve për gjenerimin e të ardhurave, punësimit dhe ngritjes së kapaciteteve të personave me nevoja të veçanta synojmë fuqizimin e mëtutjeshëm të tyre. Ndërsa përmes qendrës sonë për arsimim dhe detektim të hershem ju shërbejmë fëmijëve me nevoja të veçanta prej moshës  0 e deri 6 vjeç, si dhe prindërve të tyre.

 

  1. Programi i integrimit të komuniteteve RAE

Caritas Kosova është duke realizuar aktivitete të ndryshme edukative, sociale, kulturore, sportive, duke përfshirë shërbime shëndetësore në favor të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE) në Kosovë. Konkretisht jemi të angazhuar në Ferizaj (Dubravë), Prizren, Mitrovicë, si dhe Gjakovë (lagja Ali Ibra) për integrimin e këtyre komuniteteve. Nëpërmjet angazhimeve tona synojmë përmirësimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike të komunitetit  RAE duke lehtësuar qasjen dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në institucionet e arsimit dhe të shëndetësisë. Me fokus të veçante tek gratë kemi synuar zhdukjen e analfabetizmit dhe parandalimin e braktisjes se shkollës nga vajzat. Po ashtu kemi ndërtuar aftësitë e të rinjve  përmes trajnimeve në lobim, avokim, rrjetëzim, bashkëpunim,  lidership dhe monitorim të Planeve Lokale të Veprimit.

 

  1. Programi i Sigurimit të Ushqimit (Food Security)

Më qëllim të sigurimit të ushqimit për të gjithë, ne kemi vazhduar me implementimin e aktiviteteve që përkrahin zhvillimin e qëndrueshëm të agro-bizneseve familjare të vogla dhe të mesme. Kemi kontribuar në rajonin e Prizren si dhe në pjesën veriore të Kosovës – Leposaviq dhe Mitrovicë duke ju përgjigjur nevojave të fermerëve lokalë, mbështetur multi-etnicitetin e shoqërisë në Kosovë dhe duke krijuar kushte më të mira të jetesës për komunitetet në zona rurale.

 

  1. Re-integrimi i të burgosurve pas lirimit

Duke synuar përkrahjen e një nga grupet më të margjinalizuara në shoqërinë kosovare ne ofrojmë në Qendrën Korrektuese në Lipjan trajnime profesionale të certifikuara në floktari dhe rrobaqepësi. Ndërsa për të mitur organizojmë aktivitetet kulturore dhe sportive.

 

  1. Programi i Kopështeve

 Caritas Kosova, vazhdon te jetë i përkushtuar në  implementimin e projekteve që sigurojnë dhe rrisin cilësinë në fushën e edukimit, e sidomos atë parafillor. Ne për qindra fëmijë nga mosha 6 muajsh e deri 6 vjeç ofrojmë  shërbime cilësorë edukative duke përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara. Kopështi i Caritasit karakterizohet nga multi-etniciteti i fëmijëve, të cilët trajtohen në mënyrë të barabartë.

 

  1. Programi i asistencës sociale

Përkundër investimeve të mëdha pas lufte dhe zhvillimit gradual, Kosova vazhdon të përballet me statistika shqetësuese të varfërisë dhe të papunësisë. Sot ne ende jemi shteti më i varfër ne Evropë. Prandaj, ne përmes programit të asistencës sociale vazhdojmë të përkrahim individ dhe familje që jetojnë në varfëri ekstreme  përmes Dioqezës së Kosovës, organizatave  dhe shoqatave të ndryshme, si dhe institucioneve lokale dhe qendrore.

 

  1. Programi i bizneve sociale

Jemi të përkushtuar në punësimin e njerëzve të margjinalizuar në ndërmarrje sociale të cilat do të ofrojnë shërbime për grupet e rrezikuara dhe me ç’rast mund të zhvillohen rajonet me të varfëra në Kosovë.

 

  1. Programi i Emergjencave 

Që nga viti 2008 jemi anëtare Grupit të Emergjencave të Caritas-eve të Evropës jug-lindore. Në raste emergjente në Kosovë, Caritasi posedon kapacitetet profesionale për intervenim dhe vepron konform metodologjisë Reduktimi i Rrezikut nga Fatkeqësitë  (Disaster Risk Reduction) dhe standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Karta Humanitare mbi Standardet Minimale në Intervenime Humanitare (SPHERE).