Historiku i Caritas Kosova

Caritas Kosova u themelua në vitin 1992, edhe pse më herët, disa grupe nëpër famullitë e ndryshme në Kosovë punonin dhe zbatonin aktivitete bamirësie. Duke marrë parasysh situatën politike gjatë viteve ’90, objektivi kryesor për veprimtarinë e Caritas Kosova ishte shpërndarja e ndihmave humanitare në mënyrë që t’iu përgjigjet nevojave të të varfërve. Edhe pse Caritas Kosova nuk ishte e regjistruar zyrtarisht si OJQ, nga viti 1992 deri ne vitin 1999 ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në favor të njerëzve në nevojë.

Me situatën e re të krijuar pas luftës, në vitin 1999, metodologjia e punës së  Caritas Kosova u zhvillua me mbështetjen e organizatave anëtare të Rrjetit Caritas, të cilat ishin prezente në Kosovë gjatë periudhës së emergjencës. Funksionimi dhe zhvillimi i Caritas Kosova u mbështet nga kontributet financiare si dhe asistenca teknike dhe profesionale e Caritaseve nga: Franca, Gjermania, Zvicra, Italia, Spanja, Belgjika, CRS (SHBA), etj.

Pas fazës emergjente, pra në 10 vitet e fundit, programet dhe projektet e ndryshme si dhe stafi i Caritaseve ndërkombëtare u integruan në strukturën nacionale të Caritas Kosova. Që atëherë Caritas Kosova është zhvilluar gradualisht dhe ka krijuar një mori të gjerë aktivitetesh që zhvillohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Sot, shtrirja territoriale e veprimtarisë së Caritas Kosova është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, përveç Selisë Qendrore e cila është në Ferizaj, Caritas Kosova ka Zyret Regjionale në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë dhe Leposaviq. Po ashtu, përmes zyrave të projekteve Caritas Kosova aktualisht është prezent edhe në: Gjilan, Viti, Shtime, Istog, Suharekë, Fushë Kosovë, Skënderaj, Obiliq, Drenas, etj.

Përveç mbështetjes nga donatorët e jashtëm Caritas Kosova ka partneritet shumë të mirë edhe me strukturat shtetërore qendrore dhe lokale si: Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e punëve të Brendshme, Agjencinë e Punësimit, si dhe Komunat e ndryshme në Kosovë. Falë përvojës dhe reputacionit të Caritas Kosova, programet dhe aktivitetet tona janë të mbështetura edhe nga Bashkimi Evropian, Agjencitë e ndryshme zhvillimore, ambasadat, organizatat e ndryshme ndërkombëtare, etj.

Fushat strategjike në të cilat Caritas Kosova aktualisht është përqendruar janë: Përkujdesi shëndetësor dhe përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore; Përmirësimi i pozitës sociale të njerëzve në nevojë dhe zhvillimi i komunitetit për përfshirje dhe kohezion social; Krijimi i parakushteve për rritjen e punësueshmërisë dhe të vetëpunësimit; Realizimi i së drejtës në edukim dhe arsim cilësor; Ndihma në situatat e fatkeqësive natyrore dhe të konflikteve.

Aktualisht President i Caritas Kosova është Ipeshkvi i Kosovës Mons. Dodë Gjergji ndërsa Drejtor Gjeneral  i Caritas Kosova është Don Viktor Sopi.



 

Caritas Kosova kultivon dhe promovon: Dashuri, Solidaritet dhe Paqe