Caritas Kosova u themelua në vitin 1992, edhe pse më herët, disa grupe nëpër famullitë e ndryshme në Kosovë punonin dhe implementonin aktivitete bamirësie. Duke marrë parasysh situatën poltike gjatë viteve ’90, objektivi kryesor pr veprimtarinë e Caritas Kosovës ishte shpërndarja e ndihmave humanitare në mënyrë për t’iu përgjigjur nevojave të të varfërve. Iniciativat e tilla janë kryer me ndihmën bujare të organizatave të ndryshme, ku dhe kishte mjaft fonde në dispozicion. Në këtë periudhë kishte vetëm pak njerëz që ishin të përfshirë profesionalisht dhe drejtpërsëdrejti në veprimtarinë e bamirësisë.

Edhe pse Caritas Kosova nuk ishte e regjistruar si OJQ, megjithatë ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në favor të njerëzve në nevojë. Që nga viti 1999 metodologjia e punës së  Caritas Kosovës u zhvillua me mbështetjen e organizatave anëtare të Rrjetit Caritas, të cilat ishin prezentë në Kosovë gjatë periudhës së emergjencës. Fokusi ishte vënë në krijimin e Grupeve të Caritasave famullitare dhe forcimit të strukturës së Caritas Kosovës në kuadër të Programit për Ndërtimin e Kapaciteteve të Caritaseve famullitare. Gjatë kësaj periudhe, funksionimi i Caritas Kosovës u mbështet nga kontributet financiare dhe asistenca teknike të organizatave të Caritasit siç janë: kryesisht Caritas Gjerman, Caritasi i Zvicrës, Caritas Italia, Caritas Spanja, Caritas Belgjika, CRS, Caritas Franca, duke përfshirë edhe Caritase tjera me një prezencë të reduktuar në Kosovë ose fare prezentë.

Pas fazës emergjente, projekte/programe të ndryshme si dhe stafi i Caritaseve tjera ndërkombëtare janë integruar në strukturën kombëtare të Caritas Kosovës. Që atëherë Caritas Kosova është zhvilluar gradualisht dhe ka krijuar një mori të gjerë aktivitetesh – që implementohen në të tërë territorin e Kosovës. Sot, shtrirja territoriale e veprimtarisë së Caritas Kosovës është zgjeruar jashtëzakonisht. Ne nuk jemi vetëm duke vepruar në Ferizaj ku ndodhet selia e Caritas Kosovës, por jemi prezent edhe nëpërmjet Zyrave tona Rajonale në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Klinë dhe Leposaviq. Përveç kësaj, Caritas Kosova vepron edhe në Novosellë, Suharekë, Viti, Rahovec, Malishevë, Drenas dhe Shtime nëpërmjet zyrave të tij të projektit. Aktualisht, në Caritas Kosova janë të punësuar gjithsej 153 persona. Pavarësisht progresit të arritur, ne konsiderojmë që struktura jonë vepruese dhe aftësitë tona të menaxhimit duhet të zhvillohen edhe më tej. Ne aktualisht jemi duke bashkëpunuar me 13 famullitë më aktive nga gjithsej 24 famullitë e Dioqezës së Kosovës që janë nën hierarkinë e katër Dekanateve. Po ashtu synojmë të bëjmë më shumë përpjekje në rekrutimin e vullnetarëve dhe forcimin e rrjetit të vullnetarëve si rezultat i një bashkëpunimi me dhe mbështetjes  më intensive të priftërinjve të  famullive.

Përveç mbështetjes nga Rrjeti i Caritaseve, sot Caritas Kosova bashkëpunon sidomos në fushën e shëndetësisë dhe arsimit me strukturat shtetërore kombëtare si Kuvendet Komunale të cekura më lartë. Falë zhvillimit të tij, reputacioni i Caritasit është konsoliduar tashmë, programet dhe aktivitetet tona janë të mbështetura financiarisht edhe nga Komisioni Evropian, agjencitë e Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë, si dhe fondacionet e tjera ndërkombëtare. Megjithatë, fondet dhe donatorët ndërkombëtare po tërhiqen, prandaj ngritja e fondeve mbetet prioritet i lartë në punën tonë. Transmetimi medial i aktiviteteve dhe ngjarjeve tona ka kontribuar po ashtu në rritjen e vizibilitetit tonë si aktor social në Kosovë.

Programet/projektet që  Caritas Kosova është përqendruar aktualisht janë:

  • Home Care (Përkujdesi shtëpiak)
  • Asistence sociale
  • Anti-trafikim
  • Programi socio–pastoral
  • Programi për njerëz me aftësi të kufizuara
  • Promovimi i Paqes
  • Integrimi i komunitetit Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian (RAE)
  • Integrimi i personave të kthyer
  • Zhvillimi i agrikulturës